Japonia rrit 20-fish tarifën për lejeqëndrimin e përhershëm, shtrëngohen edhe kushtet për të huajt

03.10.2026

Japonia ka ashpërsuar rregullat për të huajt që dëshirojnë të jetojnë për një kohë të gjatë në vend, duke rritur ndjeshëm tarifat dhe duke vendosur kërkesa më të rrepta për marrjen e lejeqëndrimit të përhershëm.

Nga 1 tetori, tarifa për aplikimin për lejeqëndrim të përhershëm është rritur në 200 mijë jenë, rreth 1.100 euro, që është 20 herë më shumë se tarifa e mëparshme.

Ndryshimet kanë shkaktuar radhë të gjata pranë zyrave të emigracionit, pasi shumë të huaj nxituan të dorëzonin aplikimet para hyrjes në fuqi të tarifave të reja. Në zyrën kryesore të emigracionit në Tokio, pritja raportohet se ka kaluar shtatë orë.

Janë rritur edhe tarifat për zgjatjen ose ndryshimin e statusit të qëndrimit.

Në varësi të kohëzgjatjes së lejes, tarifa tani varion nga 10 mijë deri në 75 mijë jenë, ose afërsisht 56 deri në 419 euro.

Përveç tarifave, autoritetet japoneze kanë vendosur edhe kërkesa më të forta për personat që synojnë të marrin qëndrim të përhershëm. Aplikantët duhet të dëshmojnë të ardhura të qëndrueshme, ndërsa nga prilli i vitit të ardhshëm pritet të kërkohet edhe njohuri bazë e gjuhës japoneze.

Rregullat e reja përfshijnë gjithashtu kërkesa lidhur me kontributet pensionale dhe të ardhurat e ardhshme nga pensioni.Masat vijnë në një kohë kur numri i të huajve në Japoni ka arritur rekord. Në fund të vitit 2025, në vend jetonin më shumë se 4.12 milionë shtetas të huaj, 9.5 për qind më shumë se një vit më parë.Pavarësisht shtrëngimit të politikës së emigracionit, Japonia përballet me plakjen e popullsisë dhe mungesë të fuqisë punëtore, duke bërë që vendi të vazhdojë të ketë nevojë për punëtorë të huaj.