“Siguroni ushqime dhe ujë”, SHBA paralajmëron qytetarët për rrezikun në Lindjen e Mesme
Shtetet e Bashkuara kanë ngritur nivelin e alarmit të sigurisë për qytetarët amerikanë në Izrael dhe Lindjen e Mesme, duke paralajmëruar për mundësinë e përshkallëzimit të shpejtë të konfliktit.
Foto: Ilustrim
Departamenti i Shtetit u ka bërë thirrje qytetarëve amerikanë të tregojnë “vigjilencë maksimale”, të sigurojnë ushqim dhe ujë, si dhe të përgatiten për ndërprerje të mundshme të fluturimeve dhe mbyllje të hapësirës ajrore.
Në paralajmërim thuhet se Irani dhe grupet e lidhura me të, përfshirë Huthitët, mund të synojnë misione diplomatike, kompani dhe institucione amerikane në rajon.
Ndërkohë, Presidenti amerikan Donald Trump është kthyer në Shtëpinë e Bardhë një ditë më herët nga Camp David, në kohën kur tensionet në rajon janë rritur.
Huthitët kanë deklaruar se kanë kryer sulme me raketa dhe dronë ndaj objektivave në Riad dhe ndaj një strukture të kompanisë saudite të naftës Aramco në Yanbu. Autoritetet saudite kanë raportuar gjithashtu alarme për rrezik të mundshëm në kryeqytet.
