Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova prezantojnë Kosovën në “Expo Osaka” në Japoni

19.08.2025

Kosova është përfaqësuar me krenari në panairin ndërkombëtar “Expo Osaka 2025”, i cili u mbajt më 16 dhe 17 gusht 2025, përmes dy ikonave të sportit – kampioneve olimpike Distria Krasniqi dhe Nora Gjakova.

Dy xhudistet e arta ndanë me publikun japonez historinë frymëzuese të suksesit të tyre, nga sallat e vogla të stërvitjeve në Kosovë, deri te triumfet në majat e sportit botëror.

Sipas Federatës së Xhudos së Kosovës, Krasniqi dhe Gjakova realizuan demonstrime unike me fëmijë, duke dhuruar buzëqeshje, motivim dhe një shembull të fuqishëm se si sporti ka fuqinë të bashkojë kultura dhe gjenerata.

Vizitorët patën mundësinë të përjetojnë nga afër shpirtin e xhudos kosovare përmes fotove, bisedave miqësore dhe momenteve të paharrueshme, duke e kthyer këtë prezantim në një përvojë që do të mbetet gjatë në kujtesë.

Ky aktivitet u vlerësua si një çast krenarie për Kosovën, por edhe si një urë miqësie dhe respekti mes popullit të Kosovës dhe atij të Japonisë.