Kurti takohet me kongresistin amerikan Joe Wilson në New York, diskutojnë për Kosovën dhe shqiptarët e Luginës
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka zhvilluar një takim në New York me kongresistin amerikan Joe Wilson, bashkëkryesues i Komisionit të Helsinkit të SHBA-së dhe anëtar i Komisioneve për Punë të Jashtme dhe Forcat e Armatosura të Dhomës së Përfaqësuesve.
Foto: Ilustrim
Përmes një postimi në Facebook, Kurti bëri të ditur se në takim është diskutuar për thellimin e marrëdhënieve Kosovë-SHBA, me fokus në siguri dhe mbrojtje, investime dhe sundim të ligjit.
Sipas Kurtit, është biseduar edhe për synimin e Kosovës për anëtarësim në NATO, avancimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara dhe partneritetin ndërmjet FSK-së dhe Gardës Kombëtare të Iowa-s, i cili daton që nga viti 2011.
Në takim është diskutuar edhe për sigurinë në Ballkanin Perëndimor, orientimin euroatlantik të rajonit dhe pjesëmarrjen e Kosovës në organizatat ndërkombëtare. Kurti tha se me Wilsonin, i cili është aktiv edhe në Asamblenë Parlamentare të OSBE-së, është diskutuar për aspiratën e Kosovës për pjesëmarrje të plotë në OSBE.
Një pjesë e veçantë e diskutimeve i është kushtuar shqiptarëve në Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Kurti tha se ka ngritur çështjen e nënpërfaqësimit të shqiptarëve në institucionet publike, polici, gjyqësor dhe shëndetësi, si dhe pasivizimit të adresave, pengesave në arsimin në gjuhën shqipe dhe mosnjohjes së diplomave të fituara në Kosovë.
Në takim ishin të pranishëm edhe deputeti nga Bujanoci, Shaip Kamberi, dhe kryetarja e Komunës së Preshevës, Ardita Sinani.
Kurti bëri të ditur se ka kërkuar që të drejtat e shqiptarëve në Luginën e Preshevës të trajtohen në Komisionin e Helsinkit dhe në komunikimet me Beogradin.
Në fund, Kurti e ka falënderuar kongresistin Wilson për mbështetjen ndaj Kosovës dhe e ka ftuar atë që ta vizitojë sërish Kosovën, së bashku me një delegacion të Kongresit amerikan.

Kurti: Subjektet politike shqiptare në Luginë dakordohen për listën e përbashkët “Koalicioni Shqiptar”