Nëntë vjet burgim për të miturin nga Kobaj, pranoi fajësinë për vrasjen e rëndë
Gjykata Themelore në Prizren, Departamenti për të Mitur, ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të miturit A.O., i cili është dënuar me nëntë vjet burgim për vrasje të rëndë dhe mbajtje të paautorizuar të armës.
Sipas njoftimit të gjykatës, rasti ka ndodhur më 14 qershor 2026, në fshatin Kobaj të Komunës së Prizrenit. I mituri, në bashkëkryerje me të pandehurin Sh.O., vëllain e tij, dyshohet se ka sulmuar me thikë viktimat A.O. dhe I.O.
Gjatë përleshjes, i mituri A.O. e ka goditur me thikë një herë në gjoks viktimën, e cila, sipas gjykatës, ka ndërruar jetë gjatë rrugës për në spital si pasojë e plagëve të marra. Personi tjetër ka pësuar lëndime të lehta trupore.
Gjykata ka konstatuar se me këto veprime i mituri ka kryer veprën penale “vrasja e rëndë” dhe veprën penale “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Në shqyrtimin gjyqësor të 18 shtatorit 2026, i mituri ka pranuar përgjegjësinë dhe fajësinë për veprat penale që i janë vënë në barrë.
Gjykata ka vlerësuar se pranimi është bërë pas konsultimeve të mjaftueshme me mbrojtësin e tij dhe se i mituri e ka kuptuar natyrën dhe pasojat e pranimit të fajësisë.
Për të miturin A.O. është caktuar dënimi me burgim prej nëntë vitesh, ndërsa në këtë dënim do t’i llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim. Po ashtu, paraburgimi i është vazhduar deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.
Kundër këtij aktgjykimi, pala e pakënaqur ka të drejtë ankese në Gjykatën e Apelit.
Ndërkohë, lënda ndaj dy të dyshuarve të tjerë, Sh.O. dhe A.O., sipas gjykatës, ndodhet ende në fazën e procedurës paraprake/hetimore në Departamentin e Krimeve të Rënda.
