Kurti viziton shkollën në Bronx ku mësohet shqip: Gjuhën amtare ta ruajmë brez pas brezi
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka vizituar shkollën publike amerikane P.S. 108 Philip J. Abinanti në Bronx të New Yorkut, ku për të dytin vit akademik po zbatohet programi dygjuhësh anglisht-shqip.
Kurti e cilësoi këtë si një arritje të rëndësishme të komunitetit shqiptaro-amerikan dhe tha se programe të tilla duhet të ruhen dhe të zgjerohen, me qëllim që gjuha shqipe të kultivohet ndër breza në diasporë.
Ai theksoi rëndësinë historike të ruajtjes së gjuhës shqipe nga shqiptarët në mërgatë, duke përmendur edhe kontributin e arbëreshëve dhe të rilindësve shqiptarë.
Gjatë vizitës, Kurti u shpërndau nxënësve abetare, fletore pune dhe libra leximi në gjuhën shqipe.
Ai falënderoi për këtë nismë Mark Gjonajn dhe Drita Gjongecajn, si dhe drejtoren e shkollës, Stefania Cedrola Mustafa, ndërsa u uroi nxënësve mbarësi në mësimet e tyre.
