Shtatë raste me virusin e Nilit Perëndimor në Kosovë, dy persona kanë vdekur
Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKSHPK) ka bërë të ditur se në Kosovë janë konfirmuar shtatë raste të infeksionit me virusin e Nilit Perëndimor (WNV).
Foto: Ilustrim
Rastet janë konfirmuar gjatë periudhës 7 gusht–18 shtator 2026 në Laboratorin e Mikrobiologjisë të IKSHPK-së. Pesë prej të prekurve janë meshkuj dhe dy femra, ndërsa moshat e tyre variojnë nga 10 deri në 79 vjeç.
Tri raste janë regjistruar në Gjakovë, ndërsa nga një rast në Prishtinë, Shtime, Ferizaj dhe Pejë.Të gjitha rastet janë hospitalizuar në Klinikën Infektive të QKUK-së në Prishtinë. Tri prej tyre kanë pasur shenja të meningjitit akut, tri meningoencefalit akut, ndërsa një rast është paraqitur me gjendje febrile.
IKSHPK ka njoftuar se gjatë kësaj jave janë raportuar edhe dy raste të vdekjes nga virusi i Nilit Perëndimor në Kosovë.
Sipas analizave fillestare, nuk është evidentuar ndonjë lidhje epidemiologjike ndërmjet rasteve, të cilat janë klasifikuar si sporadike. Vetëm njëri nga shtatë personat e infektuar ka raportuar se kishte udhëtuar jashtë vendit.
IKSHPK u ka bërë thirrje komunave, veçanërisht atyre ku janë konfirmuar raste, që të intensifikojnë masat kundër mushkonjave, përfshirë dezinsektimin, eliminimin e vendeve ku shumohen mushkonjat, largimin e mbeturinave dhe sanimin e kanalizimeve të hapura.
Qytetarëve u rekomandohet përdorimi i repelentëve, veshja e rrobave që mbulojnë pjesën më të madhe të trupit, vendosja e rrjetave mbrojtëse në dritare dhe përdorimi i mjeteve mbrojtëse në ambientet e jashtme.
IKSHPK ka bërë të ditur se në laboratorët e tij po analizohen edhe mostra të tjera të dyshimta dhe se po vazhdon monitorimi i situatës epidemiologjike.
