PDK: Aktgjykim i padrejtë dhe i papranueshëm, beteja për drejtësi vazhdon
Partia Demokratike e Kosovës ka reaguar pas aktgjykimit të sotëm në Hagë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, duke e cilësuar vendimin si “të padrejtë dhe të papranueshëm”.
Foto: Ilustrim
Në reagimin e saj, PDK ka shprehur indinjatën dhe zhgënjimin lidhur me vendimin, duke theksuar se, sipas saj, aktgjykimi përbën një goditje për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe për historinë e vendit.
“Për ne, ky aktgjykim është një padrejtësi e madhe, sepse mbështetet në pretendime e materiale që i konsiderojmë të fabrikuara dhe të ushqyera ndër vite nga aparati shtetëror dhe propaganda e Serbisë për ta kriminalizuar luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës”, thuhet në reagimin e PDK-së.
Partia ka deklaruar se historia e Kosovës, sipas saj, nuk mund të ndryshohet nga një vendim gjyqësor, duke përmendur sakrificën e dëshmorëve dhe martirëve, dëbimin e qytetarëve gjatë luftës dhe ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999.
PDK ka thënë gjithashtu se Thaçi, Veseli, Krasniqi dhe Selimi iu përgjigjën procesit gjyqësor në Hagë vullnetarisht dhe se beteja për drejtësi, sipas saj, do të vazhdojë.
“Ky aktgjykim nuk është fjala e fundit. Ne për drejtësinë do të luftojmë deri në fund dhe për të vërtetën nuk do të heshtim kurrë”, thuhet në reagim.
Partia Demokratike e Kosovës ka bërë të ditur se do ta kundërshtojë aktgjykimin me argumente dhe përmes mjeteve demokratike e juridike, duke theksuar se do të vazhdojë të mbrojë qëndrimin e saj për luftën e UÇK-së dhe figurat e saj.
