Prokuroria kërkon 6 vjet burgim për Hashim Thaçin në rastin e pengimit të drejtësisë

10.09.2026

Prokuroria në Gjykatën Speciale ka kërkuar gjashtë vjet burgim për ish-presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, në rastin ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë.

Për të akuzuarit e tjerë, Isni Kilaj, Bashkim Smakaj, Fadil Fazliu dhe Hajredin Kuçi, Prokuroria ka kërkuar nga tre vjet burgim.

Kërkesat për dënime janë paraqitur gjatë deklaratave përmbyllëse në këtë rast, të cilat do të vazhdojnë edhe të premten dhe të hënën.

Sipas aktakuzës, Thaçi dhe të akuzuarit e tjerë dyshohet se janë përfshirë në përpjekje për të ndikuar në dëshmitë e dëshmitarëve të Zyrës së Prokurorit të Specializuar, në kontekstin e gjykimit për krime lufte.

Thaçi, Kilaj, Smakaj, Fazliu dhe Kuçi janë deklaruar të pafajshëm ndaj akuzave të ngritura nga Prokuroria e Specializuar.