Rekord në SHBA, çmimi i naftës arrin në 5.85 dollarë për gallon

04.09.2026

Çmimi i naftës në Shtetet e Bashkuara ka arritur nivel rekord, duke shkuar në 5.85 dollarë për gallon, sipas të dhënave të Shoqatës Amerikane të Automobilistëve (AAA).

Çmimi mesatar është rritur ndjeshëm krahasuar me një vit më parë, kur një gallon naftë kushtonte mesatarisht 3.71 dollarë. Niveli aktual ka tejkaluar edhe rekordin e mëparshëm të vendosur pas pushtimit të Ukrainës nga Rusia.

Rritja e çmimeve të karburanteve ka ardhur në një kohë kur konflikti mes SHBA-së, Izraelit dhe Iranit po ndikon në tregjet ndërkombëtare të energjisë, duke rritur kostot e naftës në tregun me shumicë.

Në SHBA, nafta përdoret kryesisht nga automjetet komerciale, përfshirë kamionët, trenat, anijet, autobusët, makineritë bujqësore dhe mjetet e ndërtimit.

Presidenti amerikan Donald Trump ka premtuar se do të ndërmarrë masa për uljen e çmimeve të karburanteve, përfshirë një marrëveshje të re për naftën me Venezuelën.

Sipas marrëveshjes së njoftuar së fundmi, parashihet zhvillimi i 17 fushave strategjike të naftës, ndërsa investimet e pritshme kapin vlerën mbi 100 miliardë dollarë.

Ndërkohë, autoritetet amerikane synojnë të kenë 55 për qind të kontrollit në një sipërmarrje të përbashkët me një operator privat me përvojë në sektorin e naftës në Venezuelë.