Enver Robelli kritikon “të rebeluarit” e LDK-së: Të tregojnë çfarë duan, zgjedhje të reja apo shmangien e kaosit
Gazetari dhe publicisti Enver Robelli ka reaguar lidhur me zhvillimet e fundit brenda Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), duke kritikuar deputetët që ai i quan “të rebeluar” dhe duke u bërë thirrje që qytetarëve t’ua bëjnë të qartë ofertën e tyre politike.
Në një shkrim të publikuar në Facebook, Robelli ka ngritur pyetjen se për çfarë po “rebelohen” dhe nëse synimi i tyre është shkuarja në zgjedhje të reja apo vazhdimi i krizës politike.
Ai ka vlerësuar se gjasat që LDK-ja, në periudhën afatmesme, të dalë parti e parë ose e dytë janë minimale, ndërsa ka paralajmëruar se zgjedhjet e reja mund ta çojnë partinë në një situatë edhe më të vështirë politike.
Robelli ka theksuar se është i kuptueshëm mosbesimi i LDK-së ndaj Lëvizjes Vetëvendosje, por ka kujtuar se në politikë koalicionet dhe raportet mes partive nuk janë të përhershme. Ai ka përmendur edhe koalicionet e mëparshme të LDK-së me PDK-në dhe refuzimin e ofertave të VV-së për koalicion gjatë vitit të kaluar.
Sipas tij, një koalicion VV-LDK mund të kishte funksionuar dhe, në këtë rast, mund të ishin shmangur edhe zgjedhjet e 28 dhjetorit dhe 7 qershorit.
Në fund, Robelli u ka bërë thirrje partive politike për reflektim dhe shmangie të zgjedhjeve të reja. Ai ka vlerësuar se LDK-ja duhet të tregojë “seriozitet shtetëror” duke mbështetur kandidaturën e Bekim Sejdiut për president, të cilin e përshkruan si kandidat mbipartiak dhe institucionalist.
“Nga harakiri politik LDK nuk do të fitojë asgjë”, ka shkruar Robelli, duke shtuar se edhe VV-ja dhe AAK-ja mund të luajnë rol në shmangien e një cikli të ri zgjedhor.
