Palatova largohet nga Kosova, u bën apel politikanëve për bashkëpunim me BE-në

28.08.2026

Ushtruesja e detyrës së shefes së Bashkimit Evropian në Kosovë, Eva Palatova, po përfundon angazhimin e saj në Kosovë pas më shumë se tre vjetësh.

Në mesazhin e saj të fundit, Palatova u ka bërë apel autoriteteve dhe aktorëve politikë në Kosovë që të angazhohen në mënyrë konstruktive dhe bashkëpunuese me Bashkimin Evropian, duke u fokusuar në zgjidhjen e problemeve.

Zyra e BE-së në Kosovë ka bërë të ditur se gjatë periudhës së angazhimit të Palatovës, marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Bashkimit Evropian kanë hyrë në një kapitull të ri.

“BE-ja është këtu për ta mbështetur Kosovën”, thuhet në mesazhin e saj të fundit.

Palatova ka theksuar rëndësinë e bashkëpunimit dhe të një qasjeje të orientuar drejt zgjidhjeve, në mënyrë që Kosova të avancojë në raportet e saj me Bashkimin Evropian.