Aksident me fatalitet në Autostradën “Ibrahim Rugova”, vdes drejtuesi i kamionit
Një aksident i rëndë trafiku ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në Autostradën “Ibrahim Rugova”, në kilometrin e 29-të.
Foto: Ilustrim
Sipas Policisë, aksidenti ka ndodhur rreth orës 20:25 dhe është përfshirë një veturë dhe një kamion. Si pasojë, drejtuesi i kamionit ka humbur jetën në vendin e ngjarjes.
Në aksident kanë pësuar lëndime edhe drejtuesi i veturës dhe një pasagjere, të cilët janë dërguar për trajtim të mëtejmë mjekësor.
Vdekjen e drejtuesit të kamionit e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes. Me urdhër të prokurores kujdestare, trupi i pajetë është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për obduksion.
Rasti po hetohet nga njësitë përkatëse të Policisë së Kosovës.
