Dogana e Kosovës arkëton mbi 1.15 miliardë euro të hyra për shtatë muaj
Dogana e Kosovës ka shënuar rritje të të hyrave gjatë periudhës janar–korrik 2026, duke arkëtuar bruto 1,153,076,683 euro, krahasuar me 1,085,940,460 euro në periudhën e njëjtë të vitit 2025.
Sipas të dhënave të Doganës, bëhet fjalë për një rritje prej 6.18 për qind, apo rreth 67.14 milionë euro më shumë se një vit më parë.
Rritje është shënuar në të gjitha kategoritë kryesore të të hyrave. Taksa e Doganës ka arritur në 110.61 milionë euro, nga 103.53 milionë euro në vitin 2025, me rritje prej 6.84 për qind.
Nga Taksa e Akcizës janë mbledhur 366.16 milionë euro, krahasuar me 352.05 milionë euro një vit më parë, duke shënuar rritje prej 4 për qind.
Ndërsa të hyrat nga TVSH-ja kanë arritur në 673.47 milionë euro, nga 628.12 milionë euro në periudhën janar–korrik 2025, apo 7.21 për qind më shumë.
Dogana e Kosovës thotë se rritja e të hyrave lidhet me administrimin dhe mbledhjen e të hyrave, forcimin e kontrolleve doganore, rritjen e efikasitetit operacional dhe zbatimin e legjislacionit doganor.
Institucioni ka theksuar se do të vazhdojë me digjitalizimin e proceseve, rritjen e efikasitetit dhe lehtësimin e tregtisë së ligjshme, duke synuar njëkohësisht mbrojtjen e interesave financiare të Republikës së Kosovës.
