Kuvendi sqaron se për 16 gusht nuk ka pasur njoftim zyrtar për seancë plenare

16.08.2026

Administrata e Kuvendit të Republikës së Kosovës ka reaguar lidhur me përdorimin e Sallës së Seancave Plenare, duke sqaruar se për datën 16 gusht 2026 nuk ka pranuar njoftim zyrtar për organizimin dhe mbajtjen e një seance.

Sipas komunikatës, për shkak të mungesës së njoftimit zyrtar, administrata nuk ka ndërmarrë veprimet administrative, teknike dhe logjistike të nevojshme për organizimin e një seance plenare.

Kuvendi thekson se kjo nuk përbën vendim politik dhe nuk paraqet qëndrim të administratës ndaj qëndrimeve apo iniciativave të deputetëve dhe grupeve parlamentare.

“Administrata ushtron kompetencat e saj në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, thuhet në komunikatë, duke shtuar se mbështetja institucionale ofrohet në mënyrë profesionale dhe të barabartë për të gjithë deputetët.

Administrata ka bërë të ditur se, pas pranimit të komunikimit zyrtar për mbajtjen e një seance, do të ndërmarrë të gjitha veprimet përkatëse dhe do të sigurojë mbështetjen administrative, teknike dhe logjistike, në kuadër të kompetencave të saj.