INTERPOL-i e kërkonte për vrasje, autoritetet shqiptare e ekstradojnë në Kosovë

11.08.2026

Policia e Kosovës ka realizuar sot ekstradimin nga Shqipëria në Kosovë të një shtetasi kosovar, i cili ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar për veprën penale “Vrasje”.

Ekstradimi u realizua në pikën kufitare në Vërmicë nga Drejtoria për Bashkëpunim Ndërkombëtar Policor (ILECU), në bashkëpunim me njësitet relevante policore dhe institucionet e drejtësisë.

Personi, i cili ndodhej në arrati, ishte arrestuar nga autoritetet shqiptare në bazë të një urdhërarresti ndërkombëtar të lëshuar përmes INTERPOL-it nga institucionet e drejtësisë së Kosovës. Ai ishte dënuar me 11 vjet e 6 muaj burgim për veprën penale të vrasjes.

Pas përfundimit të procedurave të ekstradimit, i dënuari iu dorëzua njësive përkatëse të Drejtorisë Rajonale të Policisë në Pejë, për procedim të mëtejshëm dhe dërgim në qendrën korrektuese për vuajtjen e dënimit.

Policia e Kosovës theksoi se bashkëpunimi ndërmjet institucioneve të Kosovës dhe Shqipërisë ka mundësuar realizimin e këtij ekstradimi, ndërsa ILECU ka bërë të ditur se do të vazhdojë bashkëpunimin me institucionet vendore, shtetet partnere dhe organizatat ndërkombëtare për lokalizimin dhe arrestimin e personave të kërkuar.