KRU “Hidroregjioni Jugor” apelon për përdorim racional të ujit të pijshëm gjatë verës
04.08.2026
KRU “Hidroregjioni Jugor” ka njoftuar konsumatorët për masat e përkohshme gjatë sezonit veror, duke bërë thirrje për përdorim racional të ujit të pijshëm.
Sipas njoftimit, ndalohet përdorimi i ujit nga rrjeti publik për larjen e rrugëve, trotuareve dhe oborreve, larjen e automjeteve, ujitjen e kopshteve, livadheve dhe sipërfaqeve të gjelbra, si dhe mbushjen e pishinave.
KRU “Hidroregjioni Jugor” thekson se ndalohet edhe çdo përdorim tjetër i ujit të pijshëm që nuk lidhet me nevojat themelore të konsumit njerëzor.
Nga konsumatorët është kërkuar që ujin ta përdorin me përgjegjësi dhe sa më racionalisht, në mënyrë që të sigurohet furnizim i qëndrueshëm për të gjithë qytetarët gjatë sezonit veror.
