Suhareka shënon rritje në transparencën buxhetore për vitin 2025: Renditet e 18-ta me 90 pikë
Komuna e Suharekës ka arritur një rezultat prej 90 pikësh nga 100 të mundshmet në Indeksin e Transparencës Buxhetore Komunale për vitin 2025, të publikuar nga Instituti GAP. Kjo e pozicionon Suharekën në vendin e 18-të në nivel nacional midis 38 komunave të Kosovës, duke u përfshirë në kuartilin e mesëm të lartë të performancës.
Foto: Ilustrim
Krahasuar me vitin 2024, kur komuna kishte grumbulluar 85 pikë, Suhareka ka shënuar një ngritje prej 5 pikësh. Ky përmirësim vjen si rezultat i publikimit të pjesës më të madhe të dokumenteve kryesore financiare e buxhetore në uebfaqen zyrtare, si dhe përgjigjes pozitive ndaj kërkesave për qasje në dokumente zyrtare.
Ndër dokumentet kryesore të publikuara në format të hapur (Excel) përfshihen raportet financiare tremujore, raporti vjetor financiar për vitin 2025, Korniza Afatmesme Buxhetore 2026–2028, si dhe Kartela Analitike e Kontos.
Gjithashtu, komuna ka publikuar kontratat e nënshkruara gjatë vitit 2025, rregulloren për ndarjen e subvencioneve si dhe listën e përfituesve të tyre. Në kuadër të përfshirjes së qytetarëve në vendimmarrje, Komuna e Suharekës ka përmbushur kriterin ligjor duke organizuar së paku katër dëgjime buxhetore me qytetarë për planifikimin e buxhetit të vitit 2026. Po ashtu, komuna ka shënuar progres edhe në buxhetimin e përgjegjshëm gjinor, duke rikthyer praktikën e publikimit të dokumenteve buxhetore me perspektivë gjinore gjatë vitit 2025.
