Gjykata e Prizrenit dënon me 7 vjet burg të akuzuarin për grabitje në argjendari, urdhërohet kompensimi i dëmit prej 195 mijë eurosh

20.07.2026

Gjykata Themelore në Prizren ka shpallur aktgjykim dënues ndaj të akuzuarit Sh.H., i cili është gjetur fajtor për dy vepra penale të vjedhjes së rëndë dhe një vepër penale të vjedhjes së rëndë në tentativë.

Sipas njoftimit të Gjykatës, rastet kanë ndodhur gjatë muajit janar të vitit 2025 në Prizren, ku i akuzuari, në bashkëpunim me një person tjetër, kishte kryer vjedhje në një lokal argjendarie.

Më 12 janar 2025, pas mesnate, të pajisur me maska, veshje të zeza dhe mjete të përshtatshme, të dyshuarit kishin depërtuar në një argjendari duke dëmtuar kasafortën. Nga aty kishin arritur të merrnin rreth 3 kilogramë ar 14 karat, monedha ari, stoli argjendi dhe pajisje të tjera, duke i shkaktuar pronarit dëm material në vlerë prej 195 mijë eurosh.

Po në të njëjtën ditë, sipas aktgjykimit, ata kishin tentuar të kryenin një tjetër vjedhje në një argjendari tjetër, ku kishin dëmtuar derën dhe kasafortën, por nuk kishin arritur ta hapnin atë dhe ishin larguar nga vendi i ngjarjes.

Ndërsa më 23 janar 2025, Sh.H. akuzohet se kishte depërtuar në një objekt duke thyer xhamin dhe kishte marrë pajisje elektronike, përfshirë modem interneti, DVR dhe kishte dëmtuar sistemin e kamerave të sigurisë.

Pas nëntë seancave gjyqësore dhe fjalës përfundimtare të mbajtur më 17 korrik 2026, Gjykata e shpalli fajtor të akuzuarin dhe e dënoi me 7 vite burgim unik, si dhe me 2 mijë euro gjobë.

Gjykata gjithashtu e ka obliguar të akuzuarin që të kompensojë dëmin prej 195 mijë eurosh ndaj të dëmtuarit. Në rast të mospagesës, do të shiten pasuritë e ngrira të tij përmes ankandit publik nga Agjencia për Administrimin e Pasurisë së Sekuestruar ose të Konfiskuar.

Në mesin e pasurive të ngrira janë një apartament prej 117 metrash katrorë dhe katër automjete të markave të ndryshme.

Ndaj Sh.H. është vazhduar masa e paraburgimit deri në plotfuqishmërinë e aktgjykimit.