KB Golden Eagle Ylli prezanton përforcimin e ri, Ambri Bedra firmos kontratë 3-vjeçare

18.07.2026

KB Golden Eagle Ylli ka zyrtarizuar afrimin e talentit të ri Ambri Bedra, i cili ka nënshkruar kontratë trevjeçare me klubin suharekas.

Klubi e cilësoi këtë marrëveshje si një hap të rëndësishëm në rrugëtimin e basketbollistit të ri, duke theksuar se investimi në zhvillimin e lojtarëve të rinj mbetet një nga prioritetet kryesore të KB Golden Eagle Ylli.

“Ky është një hap i rëndësishëm në rrugëtimin e tij dhe një dëshmi e përkushtimit të klubit për zhvillimin e lojtarëve të rinj dhe investimin në të ardhmen”, thuhet në njoftimin e klubit.

Nga KB Golden Eagle Ylli i uruan Ambri Bedrës shumë suksese dhe paraqitje sa më të mira me fanellën e ekipit në sezonet e ardhshme.