Ukraina godet 14 anije të tjera ruse në Detin e Azovit
Forcat ukrainase njoftojnë se kanë goditur 14 anije të tjera ruse në Detin e Azovit gjatë natës së 12 korrikut, në kuadër të një fushate intensive me dronë që, sipas Kievit, ka shënjestruar gjithsej 90 anije ruse gjatë javës së fundit.
Komandanti i Forcave të Sistemeve Pa Pilot të Ukrainës, Robert “Madyar” Brovdi, bëri të ditur se operacioni i fundit kishte në shënjestër 10 anije cisternë dhe katër tragete. Sipas tij, nga 6 deri më 12 korrik, forcat ukrainase kanë goditur mesatarisht një anije ruse çdo 112 minuta.
Zyrtarët ukrainas thonë se objektivi i kësaj fushate është ndërprerja e logjistikës dhe transportit të karburantit që mbështet operacionet ushtarake ruse në territoret e pushtuara.
Brovdi shtoi se rezultatet e një operacioni tjetër të zhvilluar gjatë natës në Krimenë e pushtuar do të publikohen më vonë.
Ndërkohë, Rusia kishte pezulluar përkohësisht transportin civil përmes Ngushticës së Kerçit dhe Kanalit Detar Don–Azov pas sulmeve të përsëritura me dronë ukrainas. Pretendimet e palës ukrainase nuk janë konfirmuar në mënyrë të pavarur.
