Infantino nuk e përjashton Botërorin me 64 ekipe

12.07.2026

Presidenti i FIFA, Gianni Infantino, ka bërë të ditur se mundësia e zgjerimit të Kupës së Botës në 64 ekipe do të shqyrtohet pas përfundimit të Botërorit të ardhshëm.

Infantino theksoi se një kompeticion si Kupa e Botës duhet të përfaqësojë të gjitha kontinentet dhe t’u japë mundësi sa më shumë vendeve të ëndërrojnë pjesëmarrjen.

“64 ekipe në Kupën e Botës? Kjo është padyshim një çështje që do të shqyrtohet pas kësaj Kupe Bote. Kur organizohet një Botëror, është e rëndësishme ta organizosh atë për të gjithë botën, jo vetëm Evropën dhe Amerikën e Jugut, por në fakt për të gjithë botën. Çdo komb duhet të lejohet të ëndërrojë pjesëmarrjen në Kupën e Botës”, deklaroi ai.

Aktualisht, Botërori i vitit 2026 po zhvillohet për herë të parë me 48 përfaqësuese, ndërsa ideja për një zgjerim të mëtejshëm në 64 ekipe pritet të jetë objekt diskutimi në FIFA pas përfundimit të turneut.