Kostoja e jetesës vazhdon të rritet, çmimet në Kosovë shënojnë rritje prej 6%
Kostoja e jetesës në Kosovë vazhdon të rritet. Të dhënat më të fundit të Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) tregojnë se çmimet e konsumit në qershor të vitit 2026 janë rritur për 6,0 për qind krahasuar me të njëjtin muaj të vitit të kaluar.
Sipas ASK-së, edhe pse në raport me muajin maj është shënuar një ulje e lehtë prej 0,1 për qind, shumica e produkteve dhe shërbimeve vazhdojnë të jenë më të shtrenjta se një vit më parë.
Rritjen më të madhe vjetore e ka regjistruar sektori i transportit, ku çmimet janë rritur për 13,7 për qind. Pas tij renditet grupi i banimit, energjisë elektrike, ujit, gazit dhe lëndëve djegëse, me një rritje prej 11,1 për qind.
Shtrenjtim kanë pësuar edhe shërbimet e akomodimit dhe restorantet me 4,5 për qind, shëndetësia me 4,1 për qind, ndërsa ushqimet dhe pijet joalkoolike janë rritur për 3,9 për qind.
Rritje të çmimeve janë evidentuar edhe te mobiljet dhe pajisjet shtëpiake me 3,0 për qind, veshjet dhe këpucët me 2,3 për qind, si dhe te aktivitetet e rekreacionit, sportit dhe kulturës me 2,0 për qind.
Sipas të dhënave, pjesën më të madhe të shportës së konsumatorit në Kosovë vazhdojnë ta përbëjnë ushqimet dhe pijet joalkoolike, të cilat zënë 327,6 pikë nga 1.000 të indeksit, pasuar nga transporti dhe shpenzimet e banimit.
Megjithatë, gjatë muajit qershor janë shënuar edhe disa ulje të çmimeve, kryesisht te ushqimet dhe pijet joalkoolike me 0,6 për qind, si dhe te strehimi dhe energjia me 0,3 për qind.
Të dhënat tregojnë se presioni mbi buxhetet familjare në Kosovë mbetet i lartë, me rritjen e vazhdueshme të kostos së produkteve dhe shërbimeve bazë.
