Zjarri në Shëngjin nën kontroll pas një nate të vështirë, identifikohet i dyshuari për zjarrvënie

04.07.2026

Një zjarr i përmasave të mëdha përfshiu një pjesë të malit në Shëngjin, duke detyruar autoritetet shqiptare të punojnë gjatë gjithë natës për izolimin e flakëve.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes së Shqipërisë, në operacion u angazhuan shtatë mjete zjarrfikëse nga disa bashki, efektivë të Forcave të Armatosura, punonjës të Shërbimit Pyjor dhe të Emergjencave Civile, ndërsa ndërhyrja u mbështet edhe nga helikopteri i Forcave të Armatosura, i cili hodhi ujë nga ajri.

Autoritetet bëjnë të ditur se falë koordinimit të të gjitha strukturave, intensiteti i zjarrit është ulur ndjeshëm, ndërsa puna po vazhdon për shuarjen e plotë të vatrave aktive.

Ministria njoftoi gjithashtu se personi i dyshuar për zjarrvënie është identifikuar dhe është vënë para përgjegjësisë ligjore.

Njëkohësisht, qytetarëve u është bërë thirrje të tregojnë kujdes maksimal, të respektojnë masat për parandalimin e zjarreve dhe të njoftojnë autoritetet për çdo vatër zjarri apo rast të dyshimtë.