SHBA rikonfirmon mbështetjen për Kosovën: Prattipati vlerëson partneritetin mes dy vendeve

30.06.2026

E ngarkuara me punë e Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Anu Prattipati, ka theksuar vazhdimin e mbështetjes amerikane për Kosovën, duke e cilësuar marrëdhënien mes dy vendeve si një partneritet të ndërtuar mbi vlera të përbashkëta dhe besim të ndërsjellë.

Në ceremoninë e organizuar për 250-vjetorin e pavarësisë së SHBA-së, Prattipati tha se Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të jenë përkrah Kosovës në forcimin e institucioneve demokratike, zhvillimin ekonomik dhe rritjen e bashkëpunimit në fusha strategjike.

“Pak miqësi e pasqyrojnë atë frymë më qartë sesa ajo midis Shteteve të Bashkuara dhe popullit të Kosovës”, deklaroi ajo, duke vlerësuar lidhjet e krijuara ndër vite mes dy vendeve.

Diplomatja amerikane përmendi bashkëpunimin në fusha si mbrojtja, tregtia, investimet, energjia, arsimi dhe teknologjia, duke theksuar se një Kosovë e qëndrueshme dhe demokratike është në interes të qytetarëve të saj, por edhe të Evropës dhe komunitetit ndërkombëtar.

Ajo vlerësoi gjithashtu kontributin e Kosovës në partneritetin me SHBA-në, përfshirë pjesëmarrjen në misione ndërkombëtare dhe angazhimin e të rinjve në programe arsimore e shkëmbimi.

Prattipati u bëri thirrje të rinjve kosovarë që të vazhdojnë të investojnë në inovacion, dije dhe lidership, duke i cilësuar ata si faktor kyç për të ardhmen e vendit.