Haziri: Me Abdixhikun ose mua për President, LDK-ja unifikohet
Nënkryetari i LDK-së, Lutfi Haziri, ka deklaruar se partia e tij mund të unifikojë 18 votat e deputetëve dhe të mbështesë krijimin e institucioneve të reja nëse posti i presidentit i takon LDK-së.
Në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, Haziri tha se emri i presidentit duhet të jetë nga radhët e LDK-së, duke përmendur kryetarin Lumir Abdixhiku ose veten si kandidatë që mund të sigurojnë mbështetjen e plotë të grupit parlamentar.
“Në rast se emri është Lumiri ose unë, mund të unifikohemi. Lumiri është i pari sipas detyrës, ndërsa pas tij konsensusin më të madh e kam unë”, deklaroi Haziri.
Ai shtoi se deri më tani LDK-ja nuk ka marrë asnjë ftesë nga Lëvizja Vetëvendosje për bisedime lidhur me krijimin e institucioneve, por theksoi se çdo ofertë eventuale do të shqyrtohet nga organet e partisë. Sipas Hazirit, adresa e vetme për negociata nga LDK-ja mbetet Abdixhiku, si kryetar aktual i partisë.
