Policia e Kosovës paralajmëron qytetarët: Kujdes nga SMS-të mashtruese për gjoba trafiku

22.06.2026

Policia e Kosovës ka lëshuar një njoftim zyrtar duke u bërë thirrje qytetarëve që të tregojnë kujdes të shtuar ndaj mesazheve mashtruese që po qarkullojnë në emër të institucioneve shtetërore.

Sipas Policisë, është identifikuar një SMS i ri mashtrues që pretendon rrejshëm se qytetarët kanë gjoba trafiku dhe i fton ata të klikojnë në linqe të ndryshme për të kryer pagesa ose për të verifikuar të dhënat e tyre.

Autoritetet theksojnë se këto mesazhe nuk janë zyrtare dhe u bëjnë thirrje qytetarëve të mos klikojnë në linqe të dyshimta, të mos japin të dhëna personale apo bankare dhe të mos hapin faqe që kërkojnë pagesa përmes SMS-ve.

Policia këshillon që në rast të pranimit të mesazheve të tilla, ato të fshihen menjëherë dhe të raportohen tek autoritetet përkatëse. Gjithashtu, qytetarët që mund të kenë ndarë të dhëna personale ose bankare duhet të kontaktojnë sa më shpejt bankën e tyre.

Rastet e tilla mund të raportohen përmes aplikacionit “Lajmëro Policinë” ose duke telefonuar në numrin emergjent 192.

Policia e Kosovës u bën thirrje të gjithë qytetarëve të qëndrojnë vigjilentë dhe të kujdesshëm ndaj mashtrimeve online, të cilat vazhdojnë të synojnë përfitimin e paligjshëm përmes keqpërdorimit të besimit të qytetarëve.