Stuhia e fuqishme godet Cyrihun, dëme në qendër të qytetit dhe ndërprerje të trafikut
Një stuhi e fuqishme ka goditur pasditen e së premtes qytetin e Cyrihut, duke shkaktuar dëme materiale dhe pengesa në qarkullim.
Moti i keq solli përmbytje në disa zona, ndërsa uji depërtoi edhe në stacionin kryesor të Cyrihut. Në zonën pranë Sihlporte, degët e pemëve të bartura nga era kanë shkaktuar dëme në xhamat e disa dyqaneve.
Një incident tjetër është raportuar pranë stacionit të tramvajit Kunsthaus, ku një pemë ka shkaktuar probleme në zonë. Policia e Cyrihut ka bërë të ditur se situata është dinamike dhe se po mblidhen informacionet për dëmet e shkaktuara.
Si pasojë e stuhisë, disa linja të tramvajit në qendër të qytetit janë përballur me vonesa dhe ndërprerje të përkohshme. Dëshmitarët kanë raportuar edhe praninë e ambulancave në disa lokacione, ndërsa ende nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e personave të lënduar.
Autoritetet kanë paralajmëruar se moti i paqëndrueshëm mund të prekë edhe zona të tjera, përfshirë rajonin e Schaffhausenit.
