Çfarë fshihet pas shtyrjes së takimit SHBA–Iran në Zvicër?

19.06.2026

Bisedimet e planifikuara mes Shteteve të Bashkuara dhe Iranit në Zvicër janë shtyrë, duke lënë të hapura shumë pikëpyetje për të ardhmen e dialogut mes dy vendeve.

Takimi, i cili ishte paraparë të mbahej në Bürgenstock, nuk do të zhvillohet sipas planit, ka njoftuar Departamenti Federal i Punëve të Jashtme i Zvicrës. Deri tani nuk është bërë e ditur nëse negociatat do të zhvillohen në ditët në vijim apo do të zhvendosen në një vend tjetër.

Shtyrja erdhi pasi nga Uashingtoni u konfirmua se nënpresidenti amerikan, JD Vance, nuk do të udhëtojë për momentin drejt Zvicrës. Ai kishte përmendur më herët vështirësi logjistike nga pala iraniane.

Ndërkohë, disa media ndërkombëtare raportojnë se pas vendimit mund të qëndrojnë edhe arsye politike. Sipas disa burimeve, Irani mund ta ketë shtyrë takimin si shenjë proteste ndaj vazhdimit të sulmeve izraelite në Liban, por ky pretendim ende nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Pavarësisht shtyrjes, afati 60-ditor i vendosur nga të dyja palët për të arritur një marrëveshje mbi çështjet kryesore, veçanërisht programin bërthamor të Iranit, mbetet në fuqi.