Nga 7 korriku, kamerat bëhen të detyrueshme në veturat e reja në Zvicër

14.06.2026

Të gjitha veturat e reja që do të shiten në Zvicër nga 7 korriku 2026 do të duhet të pajisen me sisteme të monitorimit të shoferit (DMS), në kuadër të rregullave të reja të sigurisë rrugore.

Sistemi përdor kamera infra të kuqe për të vëzhguar lëvizjet e syve, drejtimin e shikimit dhe shenjat e lodhjes së shoferit. Nëse konstatohet shpërqendrim ose përgjumje, aktivizohen paralajmërime vizuale dhe zanore për të tërhequr vëmendjen e drejtuesit të automjetit.

Përveç kamerave, automjetet e reja do të pajisen edhe me teknologji të tjera të avancuara sigurie, si frenimi automatik emergjent, sinjalizimi me drita gjatë frenimeve të forta dhe regjistruesit e të dhënave të aksidenteve.

Autoritetet dhe prodhuesit e automjeteve vlerësojnë se masat e reja do të ndihmojnë në uljen e numrit të aksidenteve në trafik. Megjithatë, ndryshimet kanë nxitur debat mbi privatësinë, pasi kritikët paralajmërojnë se automjetet po pajisen me sisteme gjithnjë e më të avancuara monitorimi.