Murati: Ekonomia rritet 5.43% në tremujorin e parë, sinjal i përshpejtimit të aktivitetit ekonomik

13.06.2026

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka bërë të ditur se ekonomia e vendit ka shënuar rritje prej 5.43% në tremujorin e parë të këtij viti, duke e cilësuar këtë si një përshpejtim të ritmit të rritjes ekonomike pavarësisht sfidave globale.

Sipas tij, ky zhvillim reflekton një klimë më të favorshme për bizneset, e cila është ndikuar edhe nga rritja e besimit pas rezultateve zgjedhore të 28 dhjetorit 2025, kur qeveria u rikonfirmua me 51.1% të votave.

Murati thekson se ky besim i shtuar ka ndikuar në zgjerimin e aktivitetit investues të bizneseve, duke përforcuar trendin pozitiv ekonomik në fillim të vitit.

Megjithatë, ai shton se bllokadat politike të krijuara nga opozita, të cilat sipas tij çuan në zgjedhje të panevojshme, kanë ndërprerë këtë dinamikë pozitive.

Sipas ministrit në detyrë, mbetet të shihet se sa do të reflektohet kjo situatë në treguesit ekonomikë të tremujorit të dytë dhe cila do të jetë kostoja e mundshme për ekonominë e vendit nga zhvillimet politike.