Operacioni i madh i Europolit: Shkatërrohet perandoria kriminale 80 milionë euroshe me bazë në Kosovë
Një hetim intensiv tre-vjeçar i mbështetur nga Europoli ka çuar në goditjen e një rrjeti të fuqishëm të krimit të organizuar me qendër operative në Kosovë.
Perandoria kriminale, vlera e së cilës llogaritet në rreth 80 milionë euro, u zbulua falë zbërthimit të mesazheve të koduara në platformën e komunikimit SKY ECC.Më 9 qershor, gjatë një aksioni masiv të koordinuar ku morën pjesë rreth 150 oficerë policie dhe ekspertë të Europolit, autoritetet në Kosovë arrestuan pesë anëtarë kryesorë të kësaj organizate.
Ky rrjet dyshohet për trafikim të drogës në shkallë të gjerë në disa vende evropiane, pastrim parash, posedim të paligjshëm të armëve dhe falsifikim të dokumenteve të identitetit.
Sipas të dhënave të zyrtarizuara nga Europoli, ky operacion është pjesë e Task Forcës Operacionale (OTF) LIMIT, ku bashkëpunuan autoritetet e zbatimit të ligjit nga Kosova, Belgjika, Franca dhe Holanda.
Bilanci i deritanishëm i hetimit:
42 të dyshuar nën hetim.
76 ambiente të kontrolluara.
80 milionë euro asete kriminale të sekuestruara.
Drejtuesit e lartë të këtij grupi menaxhonin nga Kosova dërgesat ndërkombëtare të lëndëve narkotike dhe koordinonin flukset financiare të fituara në mënyrë të paligjshme.
Hetimet po vijojnë me analizimin e mëtutjeshëm të të dhënave për të zbuluar lidhjet e tjera të mundshme të këtij rrjeti ndërkombëtar.
