Banorët e Samadraxhës ankohen për mungesën e ujit tash e katër ditë: “Po jetojmë pa asnjë informacion”
Banorët e fshatit Samadraxhë kanë shprehur shqetësim të madh për mungesën e furnizimit me ujë të pijshëm tash e katër ditë.
Sipas ankesës së banorëve, një pjesë e fshatit është duke u furnizuar me ujë, ndërsa pjesa tjetër ka mbetur pa asnjë pikë ujë që nga dita e hënë. Ata thonë se nuk kanë marrë asnjë informacion zyrtar lidhur me arsyet e ndërprerjes apo kohën kur pritet të rikthehet furnizimi.
“Jemi pa ujë tash e katër ditë. Nuk ka asnjë sqarim, asnjë njoftim dhe nuk po shohim as ndonjë intervenim në terren. Një pjesë e fshatit ka ujë, ndërsa ne të tjerët po përballemi me vështirësi të mëdha në përditshmëri”, thuhet në reagimin e banorëve.
Ata kërkojnë nga institucionet dhe kompania përgjegjëse për furnizimin me ujë që të dalin me një sqarim publik dhe të ndërmarrin masa urgjente për zgjidhjen e problemit.Banorët e Samadraxhës thonë se ndihen të neglizhuar dhe kërkojnë përgjigje të qarta për situatën që po vazhdon prej disa ditësh.
