Kurti: Shtesat për fëmijë do të rriten deri në 90 euro kurse për lehona 500 euro
Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka deklaruar se në kuadër të politikave sociale synohet rritja e ndjeshme e shtesave për fëmijë dhe e mbështetjes për nënat lehona.
Sipas tij, shtesat për fëmijë, të cilat fillimisht kanë nisur me nivele prej rreth 10 deri në 20 euro, aktualisht variojnë nga 30 deri në 45 euro në varësi të numrit të fëmijëve në familje.
Qeveria thekson se mbi 400 mijë fëmijë përfitojnë nga kjo skemë sociale.Kurti ka bërë të ditur se në mandatin e ardhshëm synohet që këto shtesa të dyfishohen, duke arritur në 60 deri në 90 euro.
Sa i përket nënave lehona, mbështetja financiare fillimisht ka qenë rreth 170 euro në muaj, ndërsa aktualisht është rritur në rreth 325.9 euro.
Objektivi i qeverisë është që kjo shumë të arrijë deri në 500 euro në muaj.Sipas deklarimeve të tij, këto masa janë pjesë e një pakete më të gjerë për forcimin e mbështetjes sociale dhe përmirësimin e mirëqenies së familjeve në vend.
