Inteligjenca Artificiale tejkalon mjekët në diagnoza – studimi tregon epërsi në rastet emergjente

01.05.2026

Një studim i ri shkencor ka zbuluar se inteligjenca artificiale po arrin të tejkalojë mjekët në vendosjen e diagnozave, sidomos në situata emergjente ku koha dhe informacioni janë të kufizuara.

Sipas hulumtimit të publikuar në revistën Science, modeli i avancuar i OpenAI, o1, ka identifikuar diagnozën e saktë ose shumë të afërt në rreth 67% të rasteve në fazat e hershme të trajtimit në urgjencë.

Në krahasim, mjekët arritën një saktësi prej rreth 50–55%.Studimi përfshiu analiza të ndryshme klinike, ku modeli i inteligjencës artificiale jo vetëm që dha rezultate më të sakta, por edhe shpjegoi arsyetimin diagnostik me një nivel shumë më të lartë se mjekët.

Në një nga testet, AI arriti 98% saktësi në arsyetim klinik, ndërsa mjekët vetëm 35%.Ekspertët vlerësojnë se këto sisteme mund të bëhen pjesë e zakonshme e spitaleve në të ardhmen, duke ndihmuar në diagnostikim më të shpejtë dhe vendimmarrje më të mirë.

Megjithatë, ata theksojnë se përdorimi i gjerë kërkon ende studime shtesë, sidomos për raste më komplekse dhe për analiza afatgjata të pacientëve.

Pavarësisht rezultateve premtuese, inteligjenca artificiale pritet të shërbejë si ndihmë për mjekët dhe jo si zëvendësim i tyre i plotë.