Arrestohen tre persona për vjedhje në Prizren, sekuestrohen stoli ari
Tre persona janë arrestuar në orët e para të mëngjesit të së mërkurës në Prizren, nën dyshimin për përfshirje në një rast vjedhjeje në progres.
Sipas njoftimit të Drejtorisë Rajonale të Policisë, rreth orës 00:06 është pranuar një informatë për një vjedhje në fshatin Poslishtë.
Njësitet policore kanë reaguar menjëherë, duke arritur në vendngjarje ku kanë arrestuar tre të dyshuarit me inicialet B.H., N.A. dhe D.P., të gjithë nga Prizreni.
Në vendin e ngjarjes kanë dalë edhe njësitet e hetimeve dhe krim-teknika, të cilat kanë sekuestruar disa stoli dhe bizhuteri që dyshohet se janë prej ari.
Sipas policisë, këto sende janë gjetur në automjetin e përdorur nga të dyshuarit, si dhe në posedim të njërës prej tyre.
Pas dokumentimit të provave, me urdhër të prokurorit, sendet e vjedhura i janë kthyer pronarit, ndërsa automjeti i përdorur në rast është konfiskuar.
Me vendim të Prokurorit të Shtetit është iniciuar procedura penale dhe të dyshuarit janë ndaluar për 48 orë.
Autoritetet bëjnë të ditur se ata do të intervistohen edhe për raste të tjera të mundshme të ngjashme, ndërsa vlera e saktë e sendeve të vjedhura ende nuk është përcaktuar.
