Partia GUXO mohon dorëheqjet në masë në Deçan dhe Pejë

13.03.2026

Partia GUXO ka reaguar ndaj raportimeve për gjoja dorëheqje në masë nga strukturat e saj në Deçan dhe Pejë, duke i cilësuar ato si të pavërteta dhe tendencioze.

Përmes një komunikate për media, partia thekson se këto pretendime nuk pasqyrojnë realitetin dhe kanë për qëllim krijimin e një perceptimi të rremë në opinionin publik.Sipas reagimit të partisë, tre individët nga Pejë që po përmenden në këto pretendime kanë paraqitur dorëheqje disa herë më parë dhe prej më shumë se një viti e gjysmë nuk janë aktivë në strukturat e partisë.

Për këtë arsye, sipas GUXO, pretendimet për zhvillime të reja në këtë drejtim nuk qëndrojnë.Sa i përket degës në Deçan, partia sqaron se nuk bëhet fjalë për braktisje të kryesisë së degës, por vetëm për tërheqjen e dy anëtarëve.

Nga Partia GUXO bëhet e ditur se në ditët në vijim do të publikohen sqarime më të detajuara për këto zhvillime, ndërsa të hënën, më 16 mars, kryetarja e partisë do të dalë me një qëndrim të plotë publik lidhur me situatën dhe, sipas tyre, me përpjekjet për të deformuar realitetin politik.