Gjykata Themelore në Prizren cakton paraburgim për 23 persona të dyshuar për falsifikim të rezultateve të votimit

24.01.2026

Gjykata Themelore në Prizren ka aprovuar kërkesat e Prokurorisë Themelore për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 23 personave të dyshuar për vepra të rënda penale që ndërlidhen me procesin zgjedhor.

Sipas njoftimit, masa e paraburgimit është caktuar për 21 të pandehur në cilësinë e komisionerëve, të cilët dyshohen për veprën penale “Falsifikimi i rezultateve të votimit”. Të njëjtit, sipas Prokurorisë, kanë vepruar me autorizime të marra nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve, në cilësinë e anëtarëve të ekipeve të numërimit në Qendrën e Numërimit të Rezultateve, përkatësisht si kryesues të komisioneve.

Po ashtu, për një të pandehur – komisionere, është caktuar paraburgimi për dy vepra penale: “Falsifikimi i rezultateve të votimit” dhe “Marrja e ryshfetit”. Ndërkaq, një tjetër i pandehur, në cilësinë e vëzhguesit, dyshohet për dy vepra penale: “Kanosja” dhe “Dhënia e ryshfetit”.

Gjykata ka bërë të ditur se deri më tani kanë përfunduar dy seanca gjyqësore, ndërsa edhe dy seanca të tjera janë në zhvillim e sipër dhe pritet të përfundojnë gjatë ditës së sotme.

Vendimet përfundimtare lidhur me kërkesat e Prokurorisë Themelore në Prizren do të përpilohen dhe publikohen brenda afateve ligjore.