Policia ndërmerr aksion në Zubin Potok, bastisje në tri pika të dyshuara për lojëra të fatit

15.01.2026

Policia e Kosovës ka realizuar sot një operacion policor në komunën e Zubin Potokut, në kuadër të hetimeve që lidhen me dyshimet për organizim të kundërligjshëm të lojërave të fatit.

Lajmi është konfirmuar për televizionin Dukagjini nga zëdhënësi i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, Veton Elshani, i cili bëri të ditur se gjatë aksionit janë kryer bastisje në tri lokacione të ndryshme në këtë komunë.

Sipas Elshanit, operacioni është i përmasave më të gjera dhe po zhvillohet në kuadër të hetimeve për veprimtari ilegale në sektorin e lojërave të fatit, ndërsa policia pritet të dalë me informacione shtesë pas përfundimit të aksionit.