FSK në ndihmë të zonave të prekura nga vërshimet
Forca e Sigurisë së Kosovës (FSK) ka ngritur nivelin e gatishmërisë së njësive të saj pas situatës së krijuar nga reshjet e dendura të shiut dhe përmbytja e disa vendbanimeve në vend.
Sipas njoftimit të publikuar nga FSK në rrjetin social Facebook, me urdhër të Komandantit të FSK-së, ekipet në gatishmëri kanë intervenuar për shpëtimin e jetëve dhe ofrimin e ndihmës, bazuar në kërkesat e pranuara nga Qendra e Situatave e Republikës së Kosovës.
Njësitë e FSK-së kanë angazhuar kapacitetet e tyre në mbështetje të Autoriteteve Civile për menaxhimin e situatës së krijuar nga vërshimet, duke vepruar në përputhje me detyrat e Mbështetjes Ushtarake ndaj autoriteteve civile.
FSK ka bërë të ditur se mbetet në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë shtesë, nëse paraqitet nevoja, me qëllim të mbrojtjes së jetës së qytetarëve dhe minimizimit të dëmeve.
Foto: Komuna e Rahovecit
