Osmani: Kërkohet vigjilencë e shtuar, institucionet dhe FSK-ja në gatishmëri për vërshimet

06.01.2026

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se vërshimet e fundit në vend kërkojnë vëmendje dhe kujdes të shtuar.

Ajo ka falënderuar institucionet dhe qytetarët për reagimin e shpejtë dhe ka bërë të ditur se gjatë ditës ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me kryetarët e komunave të prekura.

Osmani ka theksuar se Agjencia për Menaxhimin e Emergjencave, në bashkëpunim me organet e rendit, po vepron pa ndërprerje, ndërsa Forca e Sigurisë së Kosovës mbetet në gatishmëri të plotë për të ofruar ndihmë sipas nevojës.

“Sfida aktuale kërkon kujdes maksimal. Ftoj qytetarët të jenë vigjilentë dhe të zbatojnë me përpikëri udhëzimet e institucioneve përgjegjëse. Bashkëpunimi i ngushtë dhe reagimi profesional janë kyçe për ta përballuar me sukses këtë situatë,” ka shkruar ajo në Facebook.