Ekzekutohet shtesa prej 100 euro për fëmijët dhe pensionistët

29.12.2025

Ministri në detyrë i Financave, Hekuran Murati, ka njoftuar se është ekzekutuar pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 eurosh, ashtu siç ishte paralajmëruar javën e kaluar nga Kryeministri Albin Kurti.

Sipas Muratit, sot është realizuar transferimi i mjeteve financiare për fëmijët e moshës 0 deri në 16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve bazike dhe kontributive. Po ashtu, përfitues të kësaj shtese janë edhe kategoritë e dala nga lufta, personat me aftësi të kufizuara, si dhe kategori të tjera që plotësojnë kriteret e përcaktuara me vendim.

“Ekzekutohet pagesa e shtesës së njëhershme prej 100 euro! Ashtu siç kishte njoftuar Kryeministri Kurti javën që shkoi, sot kemi bërë transferimin e shtesës së njëhershme prej 100 eurove për fëmijët 0-16 vjeç, si dhe për përfituesit e pensioneve dhe skemave të tjera,” ka deklaruar Murati.

Ai ka sqaruar se, varësisht nga banka ku përfituesit kanë llogaritë e tyre, mjetet financiare pritet të reflektohen gjatë orëve në vijim.

Në fund të njoftimit, ministri Murati ka uruar qytetarët me rastin e ndërrimit të viteve, duke përcjellë mesazhin: “Gëzuar Vitin e Ri!”

Kjo masë synon të mbështesë kategoritë e ndryshme të shoqërisë, veçanërisht në prag të festave të fundvitit, si lehtësim për shpenzimet familjare.