KEDS raporton rritje të ngarkesës në rrjet, qytetarët e Suharekës paralajmërohen për ndërprerje

23.12.2025

Dje, sistemi i energjisë elektrike në Kosovë arriti ngarkesën më të lartë për muajin dhjetor, duke shënuar 1,365 MW gjatë orës 22:00–23:00.

Krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar, kur ngarkesa ishte 1,283 MW, kjo përbën një rritje prej rreth 6%. Ndërkohë, krahasuar me javën e kaluar, më 14 dhjetor 2025 (1,223 MW), ngarkesa është rritur 11.6% vetëm brenda një jave.

Tendenca e përgjithshme e rritjes së ngarkesës vazhdon, duke shtuar edhe aktivitetet operative në Rrjetin e Shpërndarjes.

Sipas njoftimit të KOSTT, ndërprerjet e furnizimit me energji elektrike janë kryesisht të nevojshme në stacionet e mëposhtme gjatë orëve të pikut: Rahovec deri në 10 MW, Prizreni 1 mbi 11 MW, Lipjan 3–5 MW, Gjilani 1 3–5 MW dhe Therandë afërsisht 3 MW. Ndërprerje të tjera kanë ndodhur edhe në Viti, Prizren IV dhe Shupkovc.

Për të shmangur mbingarkesat në rrjet, janë zbatuar veprime balancuese për rishpërndarjen e ngarkesave gjatë këtij viti.

KEDS bën thirrje tek qytetarët që të shfrytëzojnë energjinë elektrike në mënyrë racionale, duke kontribuar kështu në stabilitetin e rrjetit dhe sigurimin e furnizimit të vazhdueshëm për të gjithë përdoruesit.