Avokati Koci mërgimtarëve: Mos kaloni transit nëpër Serbi
Avokati Arianit Koci ka njoftuar se ka marrë informacion për arrestimin në Serbi të një bashkëatdhetari, të cilit autoritetet serbe i kanë gjetur në veturë emblemën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), duke e përdorur këtë si pretekst për arrestim.
Sipas Kocit, ky veprim është arbitrar dhe juridikisht i pajustifikueshëm, duke theksuar se shprehja e identitetit politik apo historik nuk përbën vepër penale sipas standardeve evropiane të të drejtave të njeriut.
Në një reagim publik, avokati ka paralajmëruar qytetarët e Kosovës që të tregojnë kujdes të shtuar gjatë kalimit tranzit nëpër Serbi dhe të mos kenë në veturë emblema apo ngjitëse me shkronjat UÇK, për shkak të rrezikut të ndalimit apo arrestimit.
“Ky rast po tregon se këto veprime po përdoren si mjet presioni politik. Raportet ndërmjet shteteve janë të tensionuara dhe çmimin po e paguajnë qytetarët e zakonshëm, të cilët mbesin të ekspozuar ndaj veprimeve arbitrare”, ka shkruar Koci.
Ai ka theksuar se në rrethana të tilla, informimi i ndërsjellë dhe kujdesi mes qytetarëve janë mburoja e vetme reale për momentin, duke apeluar për vetëdije dhe përgjegjësi gjatë udhëtimeve.
“Nëse kaloni tranzit nëpër Serbi, për sigurinë tuaj, hiqni çdo shenjë të tillë nga vetura”, ka përfunduar Koci, duke u bërë thirrje qytetarëve që ta shpërndajnë sa më shumë këtë informacion.
Rasti i raportuar vjen në një kohë të tensioneve të vazhdueshme politike në rajon, derisa qytetarët mbesin më të prekurit nga situata të tilla.
Gjendja në pikat kufitare: Pritje deri në një orë e gjysmë në Merdarë dhe 2.5 orë në kufirin Serbi-Kroaci