BE heq masat ndaj Kosovës, mbi 200 milionë euro ndihmë financiare pritet në janar
Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë tërësisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, proces që pritet të përmbyllet në fund të muajit janar 2026. Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Bruksel. Osmani tha se vendimi është konfirmuar drejtpërdrejt nga presidentja e Komisionit Evropian, […]
Bashkimi Evropian ka vendosur të heqë tërësisht masat ndëshkuese ndaj Kosovës, proces që pritet të përmbyllet në fund të muajit janar 2026. Lajmin e ka bërë të ditur presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pas përfundimit të Samitit BE–Ballkani Perëndimor, të mbajtur në Bruksel.
Osmani tha se vendimi është konfirmuar drejtpërdrejt nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen. Sipas presidentes Osmani, një pjesë e masave tashmë është hequr, ndërsa pjesa e mbetur do të shfuqizohet plotësisht në fund të janarit.
“Një pjesë shumë e madhe e fondeve do të lirohet menjëherë, ndërsa pjesa tjetër në fund të janarit, paralelisht me heqjen e plotë të masave”, u shpreh Osmani, duke theksuar se gjatë takimeve intensive me përfaqësuesit më të lartë të BE-së është arritur dakordim për zhbllokimin gradual të masave dhe fondeve financiare.
Ndërkohë, Bashkimi Evropian ka ndërmarrë hapin e parë konkret duke hequr një pjesë të masave të vendosura ndaj Kosovës në vitin 2023. Sipas një letre zyrtare të drejtorit të përgjithshëm për zgjerim të BE-së, Gert Jan Koopman, janë liruar mjetet financiare për katër projekte të rëndësishme, një vendim i lidhur me atë që BE-ja e ka vlerësuar si “transferim të rregullt dhe demokratik të pushtetit lokal në komunat veriore” pas zgjedhjeve të tetorit.
Heqja graduale e masave është konfirmuar edhe nga presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, e cila ka bërë të ditur se si rezultat i këtij vendimi, Kosova pritet të përfitojë mbi 200 milionë euro ndihmë financiare në fillim të vitit të ardhshëm.
Në një postim në platformën “X”, Von der Leyen e ka cilësuar këtë zhvillim si një lajm pozitiv për Kosovën dhe për procesin e integrimit evropian të rajonit. Ajo ka theksuar se BE-ja është e përkushtuar të vazhdojë me heqjen e plotë të masave dhe të mbështesë Kosovën financiarisht.
“Jam e lumtur të njoftoj se po ecim përpara drejt heqjes së masave ndaj Kosovës. Janë planifikuar 216 milionë euro ndihmë financiare, nga të cilat 205 milionë euro synojmë t’i lëshojmë në fillim të vitit të ardhshëm”, ka shkruar Ursula von der Leyen.
Ky zhvillim shënon një hap të rëndësishëm drejt normalizimit të marrëdhënieve me Bashkimin Evropian dhe integrimit më të thellë të Kosovës në proceset evropiane.