Gucati për protestën në Shkup: Do të jetë paqësore, me qëllim të drejtësisë për ish-luftëtarët e UÇK-së

11.12.2025

Organizatat e dala nga lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës kanë përfunduar të gjitha përgatitjet për protestën paqësore që do të mbahet në sheshin “Skënderbeu” të Shkupit.

Kryetari i OVL të UÇK-së, Hysni Gucati, ka konfirmuar për Ekonomia Online se organizatorët kanë marrë lejen nga shteti i Maqedonisë së Veriut për të zhvilluar aktivitetin dhe shpreson që kufiri të jetë i hapur për pjesëmarrësit. Ai ka kërkuar gjithashtu që në kufi të mos jenë të pranishëm kufitarët serbë.

“Jo nuk besoj se edhe ata janë të vetëdijshëm që paqja duhet të mbizotërojë gjithkund. Ata si maqedonasit ashtu edhe shqiptarët janë shtetformues. MV-ja varet nga shqiptarët; të dyja palët kanë formuar shtetin e Maqedonisë së Veriut, dhe nuk besoj që do të ketë probleme. Ata kanë marrë përsipër sigurinë, por shpresoj që kufiri do të jetë i hapur. Kam pasur takime dhe telefonata, dhe më është premtuar se listat serbe nuk do të jenë në kufi,” tha Gucati.

Ai ka ironizuar me deklaratat e Hristijan Mickoskit, duke thënë se komentet e tij kanë shtyrë më shumë shqiptarët të bashkohen në protestë. “Falënderoj Mickoskin që i ka irrituar dhe i ka bërë shqiptarët të dalin për t’u bashkuar me ne. Protesta do të jetë paqësore dhe nuk synojmë të provokojmë situata në asnjë vend,” tha Gucati.

Kryetari i OVL të UÇK-së ka theksuar se do të jetë vetë prezent në protestë dhe se aty do të marrin pjesë edhe liderë të partive shqiptare në Maqedoni, ish-deputetë nga Kuvendi i Kosovës dhe qytetarë të shumtë nga Kosova. Ai ka shtuar se protestat nuk kanë marrë mbështetje institucionale nga Qeveria e Kosovës, por vetëm nga partitë politike dhe organizata të ndryshme.

Në anën tjetër, Gucati ka komentuar lirimin me kusht të Isni Kilajt, duke shpresuar që ky vendim të shënojë një reflektim pozitiv të Gjykatës Speciale edhe për ish-krerët e UÇK-së. “Na gëzoi lirimi me kusht i Isni Kilajt. Shpresojmë që edhe të tjerët të lirohen për festat e fundvitit deri në vendimin final,” ka deklaruar ai.

Protesta, sipas Gucatit, do të mbahet në mënyrë qytetare dhe kombëtare, pa eksese, dhe me qëllim të drejtësisë për ish-luftëtarët e UÇK-së.