Diskutim në Prizren për parandalimin e dhunës dhe rolin e institucioneve arsimore

09.12.2025

Kryeprokurori i Prokurorisë Themelore në Prizren, Petrit Kryeziu, mori pjesë sot në panelin e diskutimit me temën “Roli i institucioneve arsimore në edukimin mbi barazinë gjinore si mekanizëm për parandalimin e dhunës”, i organizuar nga Universiteti i Prizrenit “Ukshin Hoti”, me ftesë të Prodekanes prof. Adelina Rakaj.

Gjatë panelit u theksua rëndësia e bashkëpunimit ndërinstitucional për parandalimin e pabarazisë dhe dhunës, si dhe roli thelbësor i institucioneve arsimore në edukimin e gjeneratave të reja për barazi, respekt dhe kulturë demokratike.

Në fjalën e tij, Kryeprokurori Kryeziu theksoi rolin e institucioneve përgjegjëse, duke u fokusuar në mandatin dhe detyrat e Prokurorit të Shtetit në parandalimin dhe trajtimin e rasteve të dhunës. Ai rikujtoi se lufta kundër dhunës, veçanërisht dhunës në baza gjinore, mbetet një ndër prioritetet kryesore të Prokurorisë Themelore në Prizren.

Kryeprokurori po ashtu potencoi rëndësinë e Zyrës për Mbrojtje dhe Ndihmë të Viktimave (ZMNV), e cila ofron përkrahje të drejtpërdrejtë për viktimat, si dhe bashkëpunimin me Koordinatoren Nacionale për Dhunë në Familje.

Në fjalimet e tyre, edhe Rektori i Universitetit Mentor Alishani, Kryetarja e Gjykatës Themelore Shpresa Emra, dhe Kryetari i OAK – dega Prizren, Blerim Mazreku, theksuan rëndësinë e promovimit të barazisë gjinore, fuqizimit të bashkëpunimit ndërinstitucional dhe rolit të përbashkët që kanë institucionet arsimore dhe gjyqësore në parandalimin e dhunës.

Në përmbyllje, Kryeprokurori Kryeziu vlerësoi kontributin e Universitetit “Ukshin Hoti”, veçanërisht të Fakultetit Juridik, për organizimin e aktiviteteve që synojnë rritjen e ndërgjegjësimit shoqëror, promovimin e barazisë gjinore dhe forcimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në luftën kundër dhunës.