Shala e Durmishi ‘ndezin’ rrjetet sociale për fondet e 3%-shit dhe votat e mërgatës
Vendimi për caktimin e datës 28 dhjetor 2025 për zgjedhjet e jashtëzakonshme në Kosovë ka nxitur një debat të nxehtë politik, veçanërisht lidhur me rolin e votave të mërgatës.
Partitë politike kanë reaguar ashpër ndaj njëra-tjetrës, duke akuzuar se kjo datë favorizon një subjekt politik mbi tjetrin.
Deputetë nga Lëvizja Vetëvendosje kanë akuzuar opozitën se ka frikë nga votat e mërgatës dhe i sheh ato si një potencial humbjeje, ndërsa reagime të forta kanë ardhur nga deputetë të opozitës, duke hedhur dyshime mbi qëllimet e LVV-së.
Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka marrë pjesë në këtë debat duke postuar në rrjetin social Facebook një thirrje për mërgatën që të vijë dhe të votojë në Kosovë. Abdixhiku ka theksuar se shumë nga reagimet dhe propaganda po përpiqen të bëhen nga Lëvizja Vetëvendosje.

Përgjigja e LVV-së nuk ka vonuar. Ministri në detyrë i infrastrukturës, Hysen Durmishi ka reaguar ndaj postimit të Abdixhikut, duke akuzuar LDK-në se interesimi i tyre për mërgatën është vetëm për të përfituar fondet e 3%-shit dhe jo për të dëgjuar nevojat e tyre. “LDK-ja, mërgatës ia ka dashur vetëm fondet e 3%-shit. Sa për t’i marrë fondet, po. Për t’i dëgjuar, kurrë. Mërgata e ka kuptuar moti kush e sheh si partner në ndërtim të shtetit dhe kush vetëm si bankomat,” ka shkruar Durmishi pranë fotografive të reagimit të Abdixhikut.

Debati ka marrë edhe një dimension lokal. Ish-kandidati për kryetar të Suharekës dhe aktualisht kryetar i degës së LDK-së në Suharekë, Ardian Shala, ka reaguar ndaj Durmishit në Facebook, duke kujtuar rolin e LDK-së dhe fondeve të 3%-shit në vite të kaluara.
“Me 3% e LDK të viteve nëntëdhjeta, jeni shkolluar ju dhe kryetari juaj A. Kurti dhe shumë nga ato gjenerata që bëj pjesë edhe vet. Ishin vitet kur Kosova ka ndërtuar institucione paralele me Serbinë. Por tjetër gjë është që llogaritë tuaja fillojnë veç me ju, ndërsa të tjerët më herët sipas jush “skan bërë asgjë”. Shkurtëpamës, asgjë tjetër,” ka shkruar Shala.

Interesant është fakti se Durmishi dhe Shala vijnë të dy nga fshati Mushtisht i Suharekës, gjë që mund të shtojë edhe më tej tensionet dhe reagimet lokale lidhur me këtë çështje. Tashmë mbetet për t’u parë nëse ky debat do të vazhdojë të përshkallëzohet mes dy vendasve dhe në arenën politike në përgjithësi.