Komandanti i FSK-së, Gjeneral Bashkim Jashari, uron “Ditën e Forcës”

26.11.2025

Komandanti i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Gjenerallejtënant Bashkim Jashari, ka uruar të gjithë pjesëtarët aktivë dhe rezervë të FSK-së, si dhe qytetarët e Republikës së Kosovës, me rastin e “Ditës së Forcës”.

Në një mesazh të shpërndarë publikisht, Jashari theksoi rëndësinë e kësaj dite për institucionin dhe për qytetarët e vendit.

Ai vlerësoi përkushtimin, profesionalizmin dhe disiplinën e Forcës së Sigurisë së Kosovës që nga themelimi e deri më sot, duke përmendur rolin e saj të rëndësishëm në mbrojtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit, si dhe për mbështetjen e paqes, sigurisë dhe zhvillimit të Republikës së Kosovës.

“Ju falënderoj për përkushtimin dhe sakrificën e përditshme në shërbim të atdheut,” tha komandanti Jashari, duke shtuar se bashkë me nder dhe përkushtim, FSK do të vazhdojë të forcohet dhe të mbrojë Kosovën.

Ai përfundoi urimin me fjalët: “Urime ‘Dita e Forcës’!”, duke përcjellë kështu një mesazh mirënjohjeje dhe motivimi për të gjithë pjesëtarët e Forcës së Sigurisë së Kosovës.