Ministria e Arsimit njofton se orët e humbura do të zëvendësohen
Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI) ka bërë të ditur se gjatë ditës së sotme Inspektorati i Arsimit ka qenë në komunikim të vazhdueshëm me drejtoritë komunale të arsimit në të gjitha komunat e Kosovës, për të monitoruar mbarëvajtjen e procesit mësimor në kushte të vështirësuara atmosferike.
Sipas informacioneve të mbledhura nga sektorët rajonalë të Inspektoratit të Arsimit, mësimi është zhvilluar normalisht në të gjitha shkollat e vendit, përfshirë edhe ato që punojnë me dy ndërrime. Përjashtim bëjnë vetëm shkollat e komunës së Prishtinës.
Drejtoria Komunale e Arsimit në Prishtinë ka njoftuar për pezullimin e procesit mësimor për ditën e sotme në të gjitha shkollat, si rezultat i kushteve të përkeqësuara atmosferike dhe vështirësive të shkaktuara në komunikacion.
Në komunikatë theksohet se Inspektorati i Arsimit, në bazë të kompetencave ligjore, do të monitorojë zëvendësimin e të gjitha orëve të humbura, në përputhje me legjislacionin në fuqi dhe Udhëzimin Administrativ (MAShTI) Nr. 01/2025 për Kalendarin e Vitit Shkollor 2025/2026.
MAShTI ka theksuar se do të vazhdojë të jetë në kontakt të rregullt me komunat dhe institucionet arsimore, me qëllim të garantimit të vijueshmërisë së procesit edukativo-arsimor, duke e vendosur mbi të gjitha sigurinë e nxënësve.